Fier / Gripi A “mbipopullon” Pediatrinë: 120 fëmijë në 24 orë, 35 të shtruar në spital

Një fluks i lartë fëmijësh është regjistruar në shërbimin e Pediatrisë në Fier gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e përhapjes së virusit gripal të tipit A.
Burime nga spitali bëjnë me dije se rreth 120 pacientë të vegjël janë paraqitur për vizita ambulatore, ndërsa 35 fëmijë janë shtruar për trajtim të specializuar për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore.
Sipas mjekëve, simptomat e gripit A janë të ngjashme me ato të gripit sezonal, por në shumë raste paraqiten më të theksuara. Fëmijët shfaqin temperaturë të lartë deri në 40 gradë, dhimbje koke, kollë të vazhdueshme, lodhje dhe këputje trupore.
Bluzat e bardha theksojnë se virusi ka një kohëzgjatje relativisht të gjatë dhe mund të sjellë komplikacione, veçanërisht tek fëmijët me imunitet të dobët ose me sëmundje shoqëruese.
Mjekët u bëjnë apel prindërve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin ambientet e mbipopulluara, të respektojnë rregullat e higjienës personale dhe të paraqiten menjëherë në spital në rast të përkeqësimit të simptomave.




