Librazhd–Qafë Thanë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dheut, Policia apel për shmangie të qarkullimit

LIBRAZHD – Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Dragostunjë, ku sasi të mëdha dheu dhe gurësh kanë rënë mbi rrugë, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve.
Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në zonë dhe, në bashkëpunim me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, po punojnë për pastrimin e aksit rrugor, me qëllim rikthimin sa më shpejt të qarkullimit normal.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas, të shmangin lëvizjen në këtë aks deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve dhe këshillojnë të ndjekin njoftimet zyrtare për situatën në vijim.




