Rama reagon pas vendimit të Kushtetueses: Qeveria po mbahet peng, betejën do ta vazhdojmë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankimimin për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në një seancë maratonë të premten, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim përfundimtar, pasi votat e 8 gjyqtarëve u ndanë 4 pro dhe 4 kundër, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO).
Në podcastin “Flasim”, Rama deklaroi se Kushtetuesja “nuk e gjeti forcën” për të mos lejuar, sipas tij, marrjen peng të qeverisë shqiptare nga pushteti gjyqësor. Kryeministri e cilësoi pezullimin e një anëtari të qeverisë në një seancë paraprake, pa nisur ende gjyqi, si një praktikë të paprecedentë në botën demokratike.
Rama theksoi se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që ka kërkuar pezullimin e saj, duke e quajtur këtë veprim një “shpikje 100% Made in Albania” të një drejtësie ende të papjekur. Sipas tij, mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese krijon një precedent të rrezikshëm, që cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e ekzekutivit.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se kjo betejë do të vijojë, me qëllim rigarantimin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe parimeve themelore të demokracisë. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për, siç i quajti, “arreste pa gjyq” dhe vendime të prokurorisë që nuk përmbushin standardet e drejtësisë demokratike europiane.
Në përfundim, Rama deklaroi se lufta për shtetin ligjor dhe integrimin europian ka një garant, sipas tij, shumicën aktuale qeverisëse, duke shtuar se përpjekjet për drejtësi nuk do të prodhojnë kosto politike për qeverinë, por do të mbështeten nga qytetarët shqiptarë.




