Takimi me Kaja Kallasin, ministri Hoxha: Forcojmë partneritetin për Mbrojtjen dhe Sigurinë me BE-në

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua këtë të martë në Bruksel me zv.presidenten e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Në një reagim në rrjetin social X, Ministri Hoxha theksoi se “në takim rikonfirmova linjëzimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke reflektuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe përgjegjësive që ndajmë me partnerët tanë evropianë.”
“Shqipëria mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, duke mbrojtur me vendosmëri vlerat që qëndrojnë në themel të projektit tonë të përbashkët evropian dhe duke kontribuar aktivisht në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë e kontinentit evropian”, tha Hoxha.
Në një kohë kur lufta, konfliktet dhe kërcënimet hibride sfidojnë gjithnjë e më shumë sigurinë evropiane dhe globale, sipas Ministrit të Jashtëm, mbetet thelbësore të ruajmë një angazhim të fortë në mbështetje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla të pranuara ndërkombtarisht.
“Në këtë fazë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i Partneritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në, tashmë në vitin e tij të dytë, dëshmon vendosmërinë tonë për të thelluar dialogun dhe për të rritur bashkëpunimin praktik në mbështetje të qëndrueshmërisë strategjike dhe kapaciteteve mbrojtëse të Evropës”, shtoi më tej Hoxha.
Sipas Ministrit të Jashtëm, Shqipëria si një anëtare e përkushtuar e NATO-s dhe një vend kandidat i angazhuar për anëtarësim në BE, mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në sigurinë tonë kolektive përmes forcimit të kapaciteteve dhe gatishmërisë së saj, mbështetjes së menaxhimit të krizave dhe rritjes së qëndrueshmërisë sonë të përbashkët, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e rolit të Bashkimit Evropian në skenën globale.
Gjatë takimit, Kallas vlerësoi Shqipërinë për linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, që e bën ndër të tjera Shqipërinë, një aleat serioz për vetë Unionin.




