KRONIKËSTAR CHANNEL
Berat / Mbante armë dhe municion pa leje në magazinë, arrestohet 66-vjeçari

Policia e Beratit ka goditur një rast të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, duke vënë në pranga një 66-vjeçar.
Në kuadër të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasin B. T., banues në fshatin Galinë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri (pushkë), një armë gjahu (çifte), si dhe një sasi municioni luftarak, të cilat ky shtetas i posedonte pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




