Tragjedi në Itali/ 12-vjeçari shqiptar humb jetën pasi bie nga kati i 8-të në Bolonjë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Bolonjës, në Itali, ku një 12-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht pasi ka rënë nga kati i tetë i një pallati.
Viktima është identifikuar si Louis Pisha. Sipas informacioneve paraprake, i mituri ndodhej në tarracën e një godine në zonën Via Piave, së bashku me dy shokë të tij, kur ndodhi aksidenti fatal.
Nga rindërtimi i ngjarjes nga policia e komisariatit Santa Viola, mësohet se 12-vjeçari kishte hipur mbi një dritare plastike transparente në çati, e cila është thyer papritur për shkak të peshës.
Fillimisht, ai ka mbetur i varur, ndërsa shokët janë përpjekur ta ndihmojnë duke e kapur, por nuk kanë arritur ta shpëtojnë. Për pasojë, i mituri ka rënë nga lartësia e madhe, duke humbur jetën në vend.
Bëhet me dije se Louis Pisha nuk ishte banor i pallatit ku ndodhi ngjarja, ndërsa autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.




