Shqipëri-Mbretëria e Bashkuar forcojnë aleancën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar

Policia e Shtetit dhe partnerët britanikë kanë konfirmuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit strategjik, duke e kthyer task-forcën kundër emigracionit të paligjshëm në një model të suksesshëm ndërinstitucional, me rezultate konkrete dhe të matshme.

Gjatë takimit mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe zëvendësambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Julia Sutherland, u theksua se bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë ulje drastike të rasteve të emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, si edhe goditje të rëndësishme ndaj grupeve të krimit të organizuar.

Drejtori Hita vlerësoi partneritetin e ngushtë me agjencitë ligjzbatuese britanike, duke nënvizuar se Policia e Shtetit mbetet një partner i besueshëm dhe aktiv në garantimin e sigurisë, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas njoftimit, bashkëpunimi mes dy vendeve po zgjerohet edhe në fusha të tjera si Policia Shkencore, teknologjia e informacionit dhe kontrolli kufitar, me fokus goditjen e tentativave për trafik armësh, pastrim parash dhe futje të paligjshme të kapitaleve.

Nga ana e saj, zëvendësambasadorja Sutherland theksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vijojë të zgjerohet më tej, duke e cilësuar si një shembull konkret të shkëmbimit të ekspertizës dhe besimit të ndërsjellë.




