Zetori përmbyset në kanal/ Humb jetën 71-vjeçari në Lushnje.
Një 71-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm në fshatin Dushk të bashkisë Lushnje, pasi mjeti bujqësor me të cilin po udhëtonte doli nga rruga dhe u përmbys në kanal.
Viktima, H. Xh., po lëvizte me një zetor me rimorkio drejt tokave të tij për të punuar, kur në një segment rrugor me dishezë ka humbur kontrollin mbi mjetin bujqësor.
Për pasojë, zetori ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor, ndërsa 71-vjeçari, i cili ndodhej i vetëm në mjet, ka humbur jetën menjëherë nga përmbysja.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal.
Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit të Lushnjes për ekzaminimin mjeko-ligjor.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se rruga bujqësore e shtruar me çakull dhe humbja e kontrollit për shkak të shpejtësisë mund të kenë ndikuar në aksidentin tragjik.




