PËRKUJTOHET SOT NË FIER EFEKTIVI SHQIPONJAVE I VRARË NË KRYE TË DETYRËS, NOVRUZ CENALIA.

Në Baltëz të Fierit u zhvillua paraditen e sotme ceremonia përkujtimore me rastin e 2-vjetorit të rënies në krye të detyrës të efektivit të Policisë së Shtetit, Novruz Çenalia.

Në ceremoninë e mbushur me respekt dhe dhimbje morën pjesë drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erjon Ahmeti, kolegë dhe punonjës të Policisë së Shtetit, si edhe familjarë e të afërm të efektivit të ndjerë.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, pjesëmarrësit vendosën kurora me lule pranë varrit të Novruz Çenalias, duke kujtuar jo vetëm aktin e sakrificës në krye të detyrës, por edhe vlerat njerëzore e profesionale që e karakterizonin.

Drejtori i Policisë Fier, Erjon Ahmeti, gjatë fjalës së tij bëri të ditur se në këtë 2-vjetor efektivit Novruz Çenalia i është akorduar statusi “Dëshmor i Atdheut”, duke theksuar se sakrifica e tij do të mbetet përherë në piedestalin më të lartë të Policisë së Shtetit.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, pas një konflikti të çastit mes efektivit të Policisë së Shtetit, Novruz Çenalia dhe Azgan Mërnicës. Sipas hetimeve, konflikti nisi pasi autori, teksa drejtonte automjetin ku udhëtonte me nënën e tij, hyri me shpejtësi në një kthesë pa kontrolluar rrugën. Efektivi i policisë i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e drejtimit të mjetit, ndërsa autori zbriti nga makina dhe qëlloi me armë zjarri në drejtim të tij, duke i marrë jetën.

Pas krimit, Azgan Mërnica u fsheh tek të afërmit dhe u vetëdorëzua në polici dy ditë më vonë. Gjykata e Fierit e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit Novruz Çenalia, ndërsa më pas Gjykata e Apelit e uli dënimin në 35 vite burg.










