Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvillon takime në Fier, kërkon angazhim maksimal për rendin dhe sigurinë

Fier – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi gjatë ditës së sotme takime në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ku theksoi prioritetet kryesore për forcimin e rendit dhe sigurisë publike.
Gjatë takimeve me efektivët, Hita kërkoi angazhim maksimal për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e paligjshmërive dhe ndjekjen në kohë reale të çdo shqetësimi të ngritur nga qytetarët.

Në fokus të diskutimeve ishte intensifikimi i punës hetimore dhe operacionale për goditjen e veprimtarive kriminale, veçanërisht në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, evidentimin e ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve mjedisore, si edhe kapjen e personave në kërkim.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe sigurisë në shkolla. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim të shtuar të strukturave policore deri në përfundim të vitit shkollor, me monitorim të perimetrit të sigurisë dhe zonave pranë institucioneve arsimore, me qëllim parandalimin e shitjes së lëndëve narkotike dhe evidentimin e rasteve kur të rinjtë drejtojnë automjete pa leje drejtimi.

Në kuadër të sezonit turistik, Hita kërkoi nga shërbimet e Policisë më shumë performancë, etikë profesionale, komunikim korrekt dhe reagim të shpejtë për çdo situatë që mund të paraqitet.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e trajtimit me prioritet të shqetësimeve të qytetarëve, duke kërkuar vëmendje të shtuar ndaj rasteve të dhunës në familje, konflikteve dhe çdo sinjalizimi tjetër, pavarësisht rëndësisë së tij.

Në fund, Drejtori i Përgjithshëm ndaloi edhe te siguria rrugore, duke kërkuar monitorim të vazhdueshëm me mjete bashkëkohore dhe shmangien e ndalimit të automjeteve pa arsye në akset kryesore. Ai kërkoi gjithashtu masa të forta ndaj parkimeve të gabuara, xhirimeve të gomave, zhurmave nga marmitat e modifikuara, drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit, tejkalimit të shpejtësisë dhe çdo shkeljeje që cenon sigurinë e përdoruesve të rrugës.




