Zjarri në tregun e Lushnjës, identifikohen tre autorë të dyshuar; kamerat ndihmuan në zbardhjen e ngjarjes

Hetimet për zjarrin që shkrumboi tregun e fruta-perimeve në Lushnjë kanë çuar në identifikimin e tre shtetasve si autorë të dyshuar të zjarrvënies. Burime nga Komisariati i Lushnjës bëjnë me dije se tre personat janë identifikuar dhe aktualisht po kërkohen nga policia.
Këqyrja e kamerave të sigurisë pranë tregut ka ndihmuar në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes. Sipas hetimeve, tre shtetas i janë afruar pjesës fundore të tregut dhe më pas kanë hyrë brenda tij. Pas këtij momenti nuk ka pamje filmike të drejtpërdrejta të aktit të zjarrvënies, pasi tendat e vendosura nga tregtarët mbi tezga kanë penguar fushën e shikimit të kamerave në atë pjesë të tregut.
Megjithatë, nga kamerat e jashtme të strukturës konstatohet se vetëm pak minuta pas hyrjes së tyre, fillimisht ka dalë tym dhe më pas janë shfaqur flakët.
Grupi hetimor dhe inspektorët po vijojnë punën për kapjen e autorëve, ndërsa Bashkia e Lushnjës po përgatit një projektvendim për kompensimin e dëmeve të tregtarëve, i cili pritet të paraqitet në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.
Zjarri që përfshiu tregun publik të Lushnjës shkrumboi pothuajse të gjithë strukturën dhe produktet e depozituara në tezgat e të paktën 25 tregtarëve. Deri tani nuk ka të dhëna mbi motivet e mundshme të zjarrvënies.
Tregu frekuentohet nga rreth 150 tregtarë, të cilët do ta ushtrojnë aktivitetin përkohësisht në një rrugë pranë zonës, deri në riparimin e strukturës së dëmtuar.




