Tragjedia me 228 viktima në Oqeanin Atlantik, Air France dhe Airbus shpallen fajtorë pas 17 vitesh

Air France dhe Airbus janë shpallur fajtorë për vrasje të paqëllimshme në lidhje me tragjedinë ajrore të vitit 2009, ku humbën jetën 228 persona pas rrëzimit të një avioni në Oqeanin Atlantik.
Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit në Paris, e cila i shpalli fajtorë kompaninë ajrore dhe prodhuesin e avionëve për përgjegjësi korporative në aksidentin tragjik të fluturimit që po udhëtonte nga Rio de Janeiro drejt Parisit.
Sipas hetimeve, avioni u përball me kushte të vështira atmosferike gjatë fluturimit mbi Atlantik, ndërsa hyri në një stuhi të fortë. Më pas ai humbi kontrollin dhe u rrëzua në oqean, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord.
Ky vendim vjen pasi në prill të vitit 2023 një gjykatë tjetër kishte liruar më parë Air France dhe Airbus nga akuzat për përgjegjësi penale, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për fajësi direkte. Megjithatë, pas apelimit të çështjes, Gjykata e Apelit arriti në përfundimin se të dy kompanitë mbajnë përgjegjësi për neglizhencë në lidhje me sigurinë e fluturimit. Tragjedia e vitit 2009 konsiderohet një nga aksidentet ajrore më të rënda në historinë moderne të aviacionit francez dhe shkaktoi debat të madh ndërkombëtar mbi standardet e sigurisë ajrore dhe sistemet teknike të avionëve.




