Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të PD ka nisur edhe në qarkun Fier, me pritshmëri për pjesëmarrje të lartë të anëtarësisë

Ka nisur mëngjesin e sotëm procesi i votimit në kuadër të referendumit të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Votimi ka nisur në orën 08:00 dhe do të vijojë deri në orën 18:00 në të gjitha qendrat e votimit të ngritura në degët e kësaj force politike në vend.
Edhe në qarkun e Fierit pritet pjesëmarrje e konsiderueshme e anëtarësisë demokratike. Në degën e Fierit, sipas kryetarit Ardian Ferro, janë 1750 anëtarë në listë aktive dhe pjesëmarrja e pritshme llogaritet rreth 70%.
Në Mallakastër, dega numëron 600 anëtarë, me mbi 60% pjesëmarrje të pritshme. Në Patos, sipas kryetarit të degës Pëllumb Hoxha, lista përmban 620 anëtarë dhe pjesëmarrja pritet të jetë rreth 60%. Ndërsa në Rroskovec, sekretari i degës Dritan Dogani deklaron se janë 710 anëtarë në listë dhe pjesëmarrja pritet të kalojë 60%.
Edhe në Lushnjë procesi pritet të jetë aktiv, ku lista e anëtarësisë përfshin 2500 anëtarë dhe pjesëmarrja në votime parashikohet të kalojë 55%.
Kujtojmë se në Roskovec, Patos dhe Mallakastër zgjedhjet për kryetarët e rinj të degëve janë zhvilluar më herët, ndërsa në Fier, Lushnjë dhe Divjakë ky proces ende nuk është përmbyllur. Në degën e Fierit, me një vendim të posaçëm të firmosur nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, u ngrit një grup pune me 43 anëtarë që zëvendësoi strukturat drejtuese pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të pasuara nga rezultati i zgjedhjeve të 11 majit.




