Rriten rastet e falsifikimit të monedhave në Shqipëri, Tirana kryeson – pas saj Vlora dhe Fieri

Falsifikimi i monedhave dhe letrave me vlerë vijon të mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri, ndërsa gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje e procedimeve penale për këtë vepër.
Sipas statistikave të Prokurorisë së Përgjithshme, numri i procedimeve penale është rritur nga 37 raste në vitin 2024 në 38 gjatë vitit 2025. Gjithashtu, është shtuar edhe numri i çështjeve të dërguara për gjykim, nga 10 në 13 procedime.
Megjithëse numri i të pandehurve të regjistruar ka rënë nga 15 në 12 persona, është rritur ndjeshëm numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë, nga 11 në 21, si dhe numri i të dënuarve, nga 7 në 18 persona.
Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e të pandehurve janë meshkuj madhorë, që përbëjnë 95.8% të totalit, ndërsa femrat zënë 4.2%.
Përsa i përket shpërndarjes sipas qarqeve, Tirana mban vendin e parë me 45% të procedimeve të regjistruara në nivel kombëtar. Pas saj renditen Vlora me 18% dhe Fieri me 10% të rasteve të regjistruara.
Ndërkohë, në prokuroritë e Dibrës, Durrësit, Kukësit dhe Beratit nuk është regjistruar asnjë procedim penal për falsifikim monedhash dhe letrash me vlerë gjatë vitit 2025.




