Kontrolle të shtuara në IEVP Fier – sekuestrohen telefona, dr*gë dhe alkool

Vijojnë kontrollet e shtuara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara.
Sipas informacionit të marrë nga Drejtoria e Analizës dhe Vlerësimit të Riskut në DPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Forcat Operacionale kanë ushtruar kontroll në ambientet e institucionit. Gjatë kontrollit në pjesën e jashtme pranë godinës “A” janë gjetur dhe sekuestruar 10 telefona celularë, 10 karikues, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në dy vende të ndryshme.
Për rastin janë hartuar raportet dhe procesverbalet përkatëse, ndërsa është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për vijimin e procedurave.
Ndërkohë, gjatë një tjetër kontrolli të brendshëm nga strukturat e IEVP Fier, të dënuarit A.M. iu gjetën pesë qese të vogla me lëndë të dyshuar narkotike, të fshehura në veshje gjatë verifikimit me skaner. Ai është shoqëruar në ambientet e veçimit dhe janë njoftuar autoritetet përkatëse.












