Operacioni i SPAK, Braho jep detaje: 15 masa sigurie dhe sekuestrim rreth 1 milion euro

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka dhënë detaje në konferencën e përbashkët për shtyp lidhur me operacionet e zhvilluara së fundmi në Shqipëri dhe Itali, në kuadër të goditjes së grupeve kriminale dhe trafikut të drogës.
Sipas tij, janë ekzekutuar gjithsej 15 masa sigurie, prej të cilave 10 janë lëshuar nga GJKKO në Tiranë.
Braho theksoi se një element i rëndësishëm i hetimeve ka qenë goditja e pasurive të përfituara nga aktivitetet kriminale, ku deri tani janë sekuestruar rreth 1 milion euro, si dhe pasuri të tjera që dyshohet se rrjedhin nga trafiku i narkotikëve.
“Ajo që dua të theksoj është se kjo skuadër nuk vjen si pasojë e një terreni bosh, por është vazhdimësi e disa skuadrave të mëparshme,” u shpreh ai, duke kujtuar edhe operacionet e mëparshme si “Operacioni Shpirti”, “Operacioni Kulmi” dhe “Operacioni Ura”, përmes të cilave, sipas tij, janë dënuar 170 persona, 145 prej të cilëve me dënime të rënda mbi 12 vite burg.




