Operacion i madh SPAK–Antimafia italiane, Eurojust: U godit grupi kriminal i drejtuar nga Igli Kamberi, 12 të arrestuar

Eurojust ka reaguar pas operacionit të përbashkët të zhvilluar nga SPAK dhe Drejtoria Antimafia e Barit, ku u godit një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në vrasje, pastrim parash dhe trafikim ndërkombëtar droge, që sipas hetimeve drejtohej nga Igli Kamberi.
Sipas Eurojust, aksioni i zhvilluar në Shqipëri dhe Itali çoi në arrestimin e 12 personave, ndërsa ndaj 3 të tjerëve u lëshuan urdhërarreste.
Hetimet nisën pas zbardhjes së vrasjes së 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti, një ngjarje që ndodhi më 25 maj 2025 në rajonin e Barit. Sipas autoriteteve, një konflikt i nisur në një lokal përfundoi me vrasjen e të riut në një zonë të izoluar të Murgias së Epërme.
Nga hetimet për këtë ngjarje u zbuluan lidhje me aktivitetet e trafikimit të drogës dhe më pas u identifikua një rrjet i strukturuar kriminal i përfshirë edhe në pastrim ndërkombëtar parash. Autoritetet zbuluan se grupi kishte bazën kryesore në Tiranë.
Eurojust bëri të ditur se hetimi u zhvillua përmes një ekipi të përbashkët hetimor (JIT) mes SPAK dhe autoriteteve italiane, duke theksuar se ky është JIT-i i pestë mes Prokurorisë së Barit dhe SPAK gjatë periudhës 2018–2026.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë hetimeve u evidentua pastrimi i afro 1 milion eurove të ardhura kriminale, të transferuara nga Italia në Shqipëri përmes grupit të strukturuar kriminal.
Ndaj personave të përfshirë rëndojnë akuza të ndryshme, mes tyre vrasje me paramendim me metoda mafioze, trafik droge, tentativë zhvatjeje, posedim i paligjshëm armësh dhe municionesh, si dhe shkelje të masave parandaluese.
Eurojust theksoi se bashkëpunimi i vazhdueshëm mes autoriteteve shqiptare dhe italiane ka sjellë rezultate të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas institucionit, gjatë pesë hetimeve të përbashkëta janë realizuar mbi 170 arrestime dhe janë sekuestruar më shumë se shtatë tonë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe kanabis.
Operacioni u realizua nga autoritetet italiane dhe shqiptare, mes tyre Drejtoria Antimafia e Barit, SPAK dhe Policia e Shtetit Shqiptar.




