“Kaos në Klinikën e Bukurisë”, komedia me Julian Dedën dhe Gentian Zenelaj sjell humor në skenën e Teatrit “Bylis”

Mbrëmje e mbushur me humor dhe duartrokitje në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier, ku u shfaq komedia “Klinika e Bukurisë”, një produksion me regji të Andia Xhungës dhe me pjesëmarrjen e një kasti të njohur aktorësh.
Në role interpretojnë aktorët Julian Deda, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Alesia Xhemalaj, Amos Zaharia, Niada Saliasi, Ermela Ruri dhe Paola Kodra.
Në qendër të historisë është një kirurg estetik pa skrupuj, sekretarja e tij mashtruese dhe një “doktor riparimesh”, të cilët krijojnë situata të papritura dhe plot humor në një klinikë ku bukuria premtohet me oferta dhe pa limite.
Ngjarjet marrin kthesa të forta komike kur klientë ekscentrikë kërkojnë transformime të pazakonta, ndërsa një gazetare investigative futet fshehurazi për të zbuluar të vërtetën që fshihet pas kësaj klinike estetike.
Publiku fierak e ka mirëpritur me duartrokitje shfaqjen, ndërsa organizatorët bëjnë me dije se “Klinika e Bukurisë” do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit “Bylis” edhe në ditët në vijim, për të vazhduar më pas me një tur në disa qytete të vendit.




