Të shtëna me armë zjarri në Athinë, plagoset pronari i një dyqani telefonash, tre shqiptarë arrestohen, një tjetër në kërkim

Një incident me armë zjarri u regjistrua pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Patisias në Athinë. Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 18:30, një person hyri në një dyqan telefonash celularë në rrugën “Patision” dhe qëlloi pronarin e biznesit, me origjinë pakistaneze, duke e plagosur në këmbë.
Pas ngjarjes, autori u largua me një automjet tip BMW ngjyrë gri, i cili po e priste jashtë dyqanit. Në mjet ndodheshin edhe tre persona të tjerë, të cilët sipas raportimeve janë me origjinë shqiptare. I plagosuri u transportua menjëherë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia greke organizoi një operacion ndjekjeje, ndërsa automjeti i dyshuar u lokalizua në rrugën “Tsounta”, në Bulevardin “Kifissou”, në drejtim të Lamias. Gjatë tentativës për t’u larguar, makina u përfshi në një aksident duke u përplasur me tre deri në katër automjete të tjera dhe më pas u neutralizua.
Si rezultat i operacionit, policia arrestoi tre persona me origjinë shqiptare të dyshuar për përfshirje në incident, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.




