Ja kush pritet të investojë në Nartë dhe Zvërnec, projekti gjigant turistik që ka ndezur debatet
Çfarë po ndodh në zonën e Zvërnecit? Kjo është pyetja që po qarkullon gjithnjë e më shumë ditët e fundit, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe mes banorëve dhe opinionit publik, pas pamjeve të shpërndara nga zona ku shihet një sipërfaqe e madhe e rrethuar pranë lagunës së Nartës dhe plazhit të Zvërnecit.
Sipas informacioneve të siguruara deri tani, bëhet fjalë për një projekt të madh zhvillimi turistik privat në një sipërfaqe prej rreth 300 hektarësh, mes lagunës së Nartës dhe vijës bregdetare të Zvërnecit, një zonë që konsiderohet ndër perlat natyrore të Shqipërisë.
Në qendër të këtij investimi përmenden Jared Kushner dhe Ivanka Trump, së bashku me dy vëllezër nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të cilët pritet të jenë pjesë e investimit miliardësh që synon transformimin turistik të zonës.

Deri tani, sipas të dhënave të investitorëve dhe burimeve të interesuara për projektin, bëhet fjalë për një kompleks të madh turistik me hotele luksoze, rezidenca turistike dhe struktura moderne akomoduese, ku pritet të përfshihen edhe emra të njohur të hotelerisë ndërkombëtare. Investimi mendohet të arrijë vlera prej disa miliardë dollarësh.
Zona ku pritet të ndërtohet projekti është tokë private. Ndërkohë, shteti shqiptar deri tani, jo në mënyrë të plotë zyrtare, mësohet se ka dhënë lejen e zhvillimit dhe lejen për ngritjen e kantierit, çka ka sjellë edhe rrethimin e territorit që shihet aktualisht në terren.
Megjithatë, projekti final ende nuk është bërë publik dhe nuk ka dalë një prezantim zyrtar me detaje të plota mbi mënyrën se si do të zhvillohet investimi. Burime pranë projektit bëjnë me dije se ai po hartohet nga tre studio të njohura arkitekturore europiane dhe ndërkombëtare, të cilat pritet të paraqesin variantin përfundimtar për miratim në ditët apo javët në vijim.

Deri në këtë fazë, informacionet flasin për një zhvillim të fokusuar kryesisht te turizmi elitar, me ndërtime hotelesh dhe rezidencash të lidhura me marka ndërkombëtare të mikpritjes, ndërsa investimi do të jetë tërësisht privat.
Projekti ka sjellë reagime dhe debate të shumta, veçanërisht nga ambientalistët dhe banorët e zonës, për shkak të ndjeshmërisë ekologjike të lagunës së Nartës dhe ekosistemit të Zvërnecit. Shqetësimet lidhen me ndikimin që mund të ketë zhvillimi urbanistik në biodiversitetin dhe identitetin natyror të zonës.
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar gjithashtu pretendime dhe teori të ndryshme, përfshirë aludime për përfshirje kompanish izraelite, por deri tani nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të konfirmojë këto pretendime. Sipas informacioneve të disponueshme, një pjesë e materialeve të shpërndara online janë të manipuluara ose të krijuara me inteligjencë artificiale.

Aktualisht, të vetmet pamje reale që qarkullojnë janë ato të territorit të rrethuar ku pritet të nisë zhvillimi turistik në një nga zonat më të rëndësishme dhe më të diskutuara të rivierës shqiptare.





