KRONIKËSTAR CHANNEL

Trafik droge drejt Greqisë – SPAK dërgon për gjykim 3 ish-policë, mes tyre ish-kandidati për Bashkinë Roskovec

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-efektivë policie, të dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të trafikut të drogës Shqipëri–Greqi.

Reklama në FieriWeb - "ARGJENDARI ILIA"

Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2019–2021 në zonën e Sarandës dhe dyshohet se është drejtuar nga Kristi Qirici dhe Eldjon Alushaj. Hetimet kanë zbuluar se efektivë policie dyshohet se kanë ndihmuar grupin me informacione, garanci dhe mbështetje për vijimin e aktivitetit kriminal.

Reklama në FieriWeb - “PIZZA ITALIA FIER”

Në qendër të çështjes është edhe një nga episodet më të mëdha të trafikimit, ku më 7 mars 2020, përmes pikës së Qafë Botës, janë trafikuar rreth 1.1 ton kanabis drejt Greqisë. Lënda narkotike u sekuestrua në shtetin fqinj, ndërsa dy shtetas italianë u dënuan atje.

Reklama në FieriWeb - "Oazi i Pishave"
Reklama në FieriWeb - “PAVILION LIQENI”

SPAK ka marrë të pandehur:

Reklama në FieriWeb
  • Erdit Hazizaj, i akuzuar për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shpërdorim detyre. Ai dyshohet se informonte grupin për lëvizjet e policisë.
  • Shkëlzen Ruska, i akuzuar për kultivim droge dhe përfshirje në grup kriminal, si dhe shpërdorim detyre.
  • Ervis Alisinaj, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Në hetime përmendet edhe përfshirja e grupeve kriminale në Tepelenë dhe Gjirokastër, të lidhura me kultivimin e mbi 1300 bimëve narkotike, të drejtuara nga Luiz Bala.

Njëri prej të pandehurve, Erdit Hazizaj, ka qenë gjithashtu kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e Roskovecit në zgjedhjet e vitit 2023, duke e bërë çështjen edhe më të bujshme në opinionin publik.

SPAK thekson se hetimet kanë dokumentuar lidhje të drejtpërdrejta mes anëtarëve të grupeve kriminale dhe punonjësve të policisë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në vijimin e trafikut të drogës dhe shmangien e goditjeve policore.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 169/1 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve:

Erdit Hazizaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;

“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;

“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Shkëlzen Ruska, i akuzuar për veprat penale:

“Kultivim i bimëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284 paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;

“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;

“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Të pandehurit Ervis Alisinanaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ky proçedim penal është ndarë nga çështja penale nr.169 e vitit 2022.

Nga hetimet e kryera rezulton se gjatë viteve 2019-2021, në zonën e Sarandës ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike. Drejtuesi dhe organizatorët e këtij grupi dyshohet se janë shtetasit nën hetim, K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), Anëtarët e këtij grupi kishin detyra të përcaktuara për sigurimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.

Hetimet kanë dokumentuar rastin e trafikimit, më 7.3.2020 përmes pikës së kalimit kufitar në Qafë Botë, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro. Kjo sasi u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi.

Kur anëtarë të grupit arrestoheshin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, anëtarët e tjerë interesoheshin për ndihmën ekonomike të personave të arrestuar dhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore. Sipas hetimeve, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal.

I tillë është rasti i Erdit Hazizaj, në atë kohë mbante detyrën e specialistit në Sektorin e Hetimit në Mbulim, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, i cili i ndihmonte drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për zhvillimin e aktivitetit të kundraligjshëm.

Gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër, ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, nën drejtimin e shtetasit nën hetim, L.B (alias E.S), ndërsa pjesëtarët e grupit kishin detyra të ndara për kultivimin e bimës narkotike në zonën Tepelenë – Gjirokastër. Hetimet kanë dokumentuar rastin e datës 1.10.2020, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari (Tepelenë), ku Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër zbuloi dhe sekuestroi 1360 bimë narkotike, me gjatësi 30-120 cm, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 kg. Sasia e bimëve narkotike ishte kultivuar nga ky grup kriminal.

Drejtuesi i tij kishte krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore edhe me punonjës në Policinë e Shtetit, në rastin konkret, me të pandehurin Shkëlzen Ruska, i cili asokohe mbante detyrën e specialistit në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundraligjshëm.

Nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundraligjshme.

Këto veprime, bazuar në hetimet e kryera, kanë sjellë pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit si dhe kanë cenuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut dhe kanë dëmtuar ushtrimin e misionit të saj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit.

——————————-

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button