Policia e Shtetit u heq licencën dy kompanive private të sigurisë “Major” dhe “Myrto” pas incidenteve në Zvërnec

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur t’u heqë licencën për ushtrimin e aktivitetit dy subjekteve private të sigurisë fizike, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas shkeljeve të konstatuara gjatë hetimeve administrative për ngjarjet e ndodhura në protestën e 30 majit 2026 në Portonovë të Zvërnecit.
Sipas Policisë së Shtetit, hetimet e kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike evidentuan shkelje të rënda në mënyrën e administrimit të sigurisë së objektit dhe në veprimet e personelit të sigurisë.
Nga verifikimet rezultoi se subjekti “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listat e personave apo mjeteve të autorizuara. Për pasojë, persona të paidentifikuar arritën të futeshin në zonën e rrethuar dhe, sipas Policisë, ushtruan dhunë ndaj një protestuesi, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjithashtu, këta persona kanë reaguar ndaj protestuesve me gurë dhe sende të tjera, ndërsa punonjësit e sigurisë nuk ndërmorën veprime për t’i ndaluar apo larguar.
Ndërkohë, për subjektin “Major Security”, hetimet zbuluan se një punonjës i licencuar, së bashku me dy persona të tjerë të palicencuar dhe të paregjistruar pranë kompanisë, kanë kryer veprime arbitrare ndaj një protestuesi. Sipas Policisë, ata e kanë goditur dhe e kanë tërhequr me forcë brenda rrethimit të pronës, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Në përfundim të procedurave administrative dhe bazuar në ligjin “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur heqjen e licencave për të dy subjektet.
Policia bën me dije se hetimet administrative dhe penale për ngjarjen vijojnë.




