Edvin Ndreu në krye të Policisë së Vlorës pas pezullimit të Elidon Çelës

Edvin Ndreu është komanduar drejtor i Policisë së Vlorës, duke marrë përkohësisht drejtimin e këtij institucioni pas pezullimit nga detyra të Elidon Çelës.
Deri më tani, Ndreu ushtronte detyrën e drejtorit të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë. Ai ka një eksperiencë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, ku më herët ka mbajtur funksione të rëndësishme si zëvendësdrejtor i Policisë në Kukës dhe shef i Komisariatit Nr. 6 në Tiranë.
Emërimi i tij vjen pas zhvillimeve të fundit në Vlorë, ku drejtori i mëparshëm, Elidon Çela, u pezullua më 30 maj pas ngjarjeve të regjistruara gjatë protestave kundër projektit turistik në Zvërnec.
Sipas Policisë së Shtetit, pezullimi i Çelës lidhet me raportimin e pasaktë të një incidenti ku një protestues u dëmtua nga punonjës të një kompanie private sigurie. Në njoftimin fillestar të Policisë së Vlorës pretendohej se protestuesi kishte hyrë me forcë në kantier, version që më pas u kundërshtua nga strukturat qendrore të Policisë së Shtetit.
Ndreu do të drejtojë Policinë e Vlorës deri në një vendimmarrje të mëtejshme nga drejtuesit e Policisë së Shtetit.




