Tërmet 6.1 ballë në brigjet e Kalabrisë, lëkundjet ndihen në gjithë Italinë jugore

Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi në orët e para të mëngjesit të së martës brigjet e Kalabrisë, duke shkaktuar lëkundje që u ndjenë në një pjesë të madhe të Italisë jugore.
Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), tërmeti u regjistrua në orën 00:12 me epiqendër në Detin Tirren, rreth 20 kilometra larg bregut veriperëndimor të Kalabrisë, pranë qytetit Amantea në provincën e Kozencës.
Hipocentra e tërmetit u lokalizua në një thellësi prej rreth 250 kilometrash, çka ndikoi në zbutjen e efekteve në sipërfaqe, pavarësisht magnitudës së konsiderueshme.
Lëkundjet u ndjenë në Kalabri, Napoli, Bazilikatë, Pulia dhe Siçili, duke shkaktuar shqetësim te banorët. Megjithatë, autoritetet italiane konfirmuan se deri tani nuk janë raportuar dëme në njerëz apo prona.
Pas tërmetit, Departamenti Kombëtar i Mbrojtjes Civile aktivizoi njësinë e krizës dhe nisi verifikimet në zonat më pranë epiqendrës. Sipas autoriteteve lokale, situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll.
Kontrollet në infrastrukturë dhe ndërtesat përgjatë bregdetit të Detit Tirren vijuan edhe gjatë mëngjesit të së martës.





