Aksident i rëndë me 5 automjete në aksin Levan–Tepelenë, tre persona në spital
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Behaj, ku janë përfshirë pesë automjete.
Sipas të dhënave paraprake, një prej mjeteve të përfshira në aksident është një rulot me targa të huaja, në të cilin udhëtonin turistë të huaj. Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se mes të lënduarve ndodhet një shtetas shqiptar dhe dy shtetas të huaj, të cilët po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në përplasjen e pesë automjeteve.
Ndërkohë, qarkullimi në këtë segment të rrugës është ngadalësuar për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës dhe largimit të mjeteve të aksidentuara.




