Rrufeja shkakton katastrofë/ Godet tufën e deleve në Delvinë, ngordhin rreth 150–200 krerë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në zonën malore mbi fshatin Kopaçez, në Bashkinë Delvinë, në vendin e njohur si “Jomina”, ku dyshohet se një goditje rrufeje ka shkaktuar ngordhjen masive të një tufe delesh.
Sipas informacioneve paraprake, nga fenomeni atmosferik kanë ngordhur rreth 150 deri në 200 dele, që i përkisnin dy vëllezërve barinj, Klement dhe Ariani Xhelili. Pamjet nga vendngjarja tregojnë dhjetëra krerë të shtrirë në kullotë, duke konfirmuar përmasat e mëdha të dëmit të shkaktuar.
Ngjarja ka sjellë një humbje të konsiderueshme ekonomike për familjen e blegtorëve, të cilët siguronin të ardhurat kryesisht nga aktiviteti blegtoral.
Ndërkohë, ekipet veterinare janë nisur drejt zonës për të kryer verifikimet dhe ekspertizën përkatëse, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një raport zyrtar pas përfundimit të kontrollit në terren.




