Taulant Balla ngre dyshime për praninë e personave nga jashtë në protestën kundër resortit në Zvërnec

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas protestës së zhvilluar sot në zonën e Zvërnec kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla publikoi një fotografi ku shfaqen automjete me targa serbe dhe ngriti pikëpyetje mbi praninë e tyre në protestë. Sipas tij, në tubim kanë marrë pjesë edhe persona që nuk janë banorë të zonës.
“Ja dhe ata që e ‘duan’ më shumë sesa ne Shqipërinë, i sollën protestuesit në Zvërnec. Po këto makinat me targa serbe dhe serbët pse duhet të jenë në protestë për Zvërnecin?!”, shkruan Balla.
Reagimi i tij vjen në të njëjtën ditë kur dhjetëra qytetarë dhe aktivistë protestuan kundër projektit turistik në Zvërnec, duke shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës.




