Policia e Vlorës jep detaje/ Dy makina shkrumbohen nga flakët pas aksidentit tragjik në Radhimë, një viktimë dhe tre të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:00, në aksin rrugor Vlorë–Orikum, në zonën e Radhimës.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Vlorës, automjeti që drejtohej nga shtetasi V. R., 32 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues F. K., rreth 35 vjeç, si edhe me një automjet të tretë që drejtohej nga A. M., 31 vjeç. Pas përplasjes së fortë, dy prej automjeteve janë përfshirë nga flakët dhe janë shkrumbuar plotësisht.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i njërit prej mjeteve, shtetasi F. K.. Ndërkohë, tre pasagjerë të huaj, që udhëtonin në automjetin e drejtuar nga A. M., kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Dy drejtuesit e mjeteve të tjera, shtetasit V. R. dhe A. M., janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë për kryerjen e veprimeve procedurale.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti tragjik.




