Lushnjë/ Plagos me thikë 26-vjeçarin, arrestohet 19-vjeçari – në banesë i gjenden mbi 48 mijë euro dhe 7 mijë dollarë të dyshuara false

Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Lushnjës, pasi dyshohet se plagosi me thikë një 26-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu sekuestruan edhe një shumë të konsiderueshme parash të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se do të nxirreshin në qarkullim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas njoftimit se në spital ishte paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi E. Ç., 26 vjeç, i plagosur me mjet prerës (thikë), organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, brenda pak orësh u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Denis Hoxha, 19 vjeç, banues në fshatin Stan Karbunarë, Lushnjë.
Nga hetimet dyshohet se 19-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me thikë shtetasin Eridion Çërraga, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 48 160 euro dhe 7 200 dollarë, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara dhe posedoheshin me qëllim nxjerrjen në qarkullim.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Fier arrestuan Denis Hoxhën për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Falsifikimi i monedhave”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.




