Filmohet një tufë me derra të egër në Karaburun, dëshmi e pasurisë së faunës së zonës
Një tufë me dhjetëra derra të egër është filmuar në zonën e Karaburunit, duke sjellë pamje të veçanta nga jeta e egër në një prej territoreve më të rëndësishme natyrore të vendit.
Në videon e realizuar së fundmi, kafshët shihen duke lëvizur në grup, të udhëhequra nga individi më i madh i tufës, ndërsa përshkojnë terrenin e zonës. Në momentin që kanë konstatuar praninë e njerëzve, derrat e egër janë larguar me shpejtësi drejt pyllit, duke shmangur çdo kontakt me vizitorët.
Prania e kësaj tufe konsiderohet një sinjal pozitiv për biodiversitetin e Karaburunit. Sipas specialistëve të mjedisit, shfaqja e derrave të egër tregon se ekosistemi i zonës vijon të ruajë kushtet e nevojshme për mbijetesën dhe zhvillimin e shumë specieve shtazore.
Karaburuni mbetet një nga habitatet më të rëndësishme natyrore në Shqipëri, ku fauna dhe flora e egër vazhdojnë të gjejnë strehë, duke e kthyer këtë park në një pasuri të çmuar për natyrën dhe turizmin ekologjik.




