Përfundon rruga e Darëzezës/ Rama ndan pamjet: Tashmë në shërbim të banorëve e vizitorëve

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka përfunduar investimi për rrugën e Darëzezës në Fier, një prej akseve të rëndësishme që lidh zonat e banuara me vijën bregdetare dhe plazhin e Darëzezës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë njoftoi se rruga tashmë është plotësisht në funksion dhe në shërbim të banorëve të zonës, por edhe të vizitorëve të shumtë që frekuentojnë bregdetin e Darëzezës, veçanërisht gjatë sezonit turistik veror.
“Mirëmëngjes dhe me rrugën e Darëzezës, tashmë të përfunduar dhe në shërbim të banorëve e vizitorëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në mesazhin e tij.
Përfundimi i këtij investimi pritet të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen drejt një prej zonave turistike më të frekuentuara të qarkut të Fierit, duke rritur sigurinë dhe komoditetin e udhëtimit për qytetarët dhe pushuesit. Rruga e Darëzezës konsiderohet një infrastrukturë me rëndësi për zhvillimin e turizmit lokal, pasi krijon akses më të shpejtë dhe më cilësor drejt plazhit dhe zonave përreth.
Investimi vjen në prag të sezonit veror, kur numri i vizitorëve në bregdetin e Darëzezës rritet ndjeshëm, ndërsa autoritetet synojnë të përmirësojnë më tej infrastrukturën dhe shërbimet në funksion të turizmit dhe zhvillimit ekonomik të zonës.




