Aksident në autostradën Fier–Vlorë, plagosen tre persona pranë Mifolit
Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në autostradën Fier–Vlorë, në afërsi të fshatit Mifol.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një fuoristradë dhe një automjet i vogël, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.
Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se të lënduarit kanë pësuar dëmtime të ndryshme, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë siguruar zonën dhe kanë ndërhyrë për dhënien e ndihmës së parë.
Grupi hetimor po kryen veprimet procedurale për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, ndërsa po merren në pyetje edhe personat që ndodheshin në automjete dhe nuk kanë pësuar lëndime.
Hetimet vijojnë.




