AKU intensifikon kontrollet dhe fushatën ndërgjegjësuese në Fier për sigurinë ushqimore gjatë sezonit veror

Ka vijuar në Qarkun e Fierit fushata ndërgjegjësuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), e fokusuar te subjektet ushqimore si njësitë e tregtimit, pikat e shitjes së akulloreve, supermarketet, pastiçeritë dhe fast food-et.
Gjatë vizitave në terren, inspektorët informuan operatorët e biznesit mbi elementët kryesorë të sigurisë ushqimore, duke u ndalur te kushtet higjieno-sanitare, praktikat e mira të prodhimit, mënyra e ruajtjes së produkteve, gjurmueshmëria e tyre, si dhe zbatimi i manualit të vetëkontrollit (HACCP).
Sipas AKU-së, fushatat sensibilizuese do të vijojnë në të gjithë vendin me synim rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve të biznesit ushqimor, mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve vendas dhe të huaj, si dhe garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik veror.




