Mbi 1 ton bajame të kontaminuara janë shitur në treg, AKU apel qytetarëve: Mos i konsumoni

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar se një sasi prej mbi 1 ton bajame të importuara është hedhur në treg, ndonëse rezulton e kontaminuar me acid hidrocianik, një substancë toksike që përbën rrezik për shëndetin.
Bëhet fjalë për produktin me etiketën “BLANCHED ALMOND EXTRA FINE”, me datë skadence 22 tetor 2026. Sipas AKU-së, njoftimi ka ardhur përmes sistemit europian të sigurisë ushqimore, pasi analizat kanë konstatuar nivele të acidit hidrocianik mbi kufirin e lejuar.
Produkti është me origjinë nga Spanja dhe është importuar në Shqipëri nga subjektet Albanian Smart Distribution SHPK dhe Alta Group.
Sipas të dhënave zyrtare:
- Nga 1,100 kg të importuara nga Albanian Smart Distribution dhe subjekti N.N., e gjithë sasia rezulton të jetë shitur te konsumatorët.
- Nga 100 kg të importuara nga Alta Group, 42 kg janë bllokuar dhe do të asgjësohen, ndërsa 58 kg janë shitur.
AKU u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë blerë këtë produkt, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë.




