Skënder Hita në familjen e Dëshmorit Enea Mekolli: medalje mirënjohjeje, status shtetëror për djalin dhe mbështetje financiare për familjen

Me rastin e ditëlindjes së parë të djalit të Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, zhvilloi një vizitë në familjen Mekolli.

Gjatë vizitës, Hita i dorëzoi familjes medaljen e mirënjohjes, të akorduar pas vdekjes Inspektorit Enea Mekolli për aktin e tij sublim në krye të detyrës. Po ashtu, ai dorëzoi dokumentacionin që njeh djalin e tij me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Sipas autoriteteve, fëmija do të përfitojë pagën e plotë të babait deri në përfundimin e arsimit të lartë, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe të gjitha të drejtat e tjera që parashikon legjislacioni në fuqi.

Në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i dorëzoi familjes edhe një çek simbolik me vlerën 7 milionë lekë të rinj, shumë e transferuar në llogarinë bankare të familjes, si kontribut solidariteti për sakrificën e Dëshmorit të Atdheut.

Gjatë takimit, Skënder Hita u shpreh se asnjë mbështetje nuk mund ta zëvendësojë humbjen e Enea Mekollit, por garantoi se familja e tij nuk do të mbetet kurrë vetëm, duke theksuar se Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare do të jenë gjithmonë pranë saj.




