Qarkullonte i armatosur me pistoletë dhe radio të ngjashme me atë të Policisë, arrestohet 32-vjeçari në Vlorë
Një 32-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur me armë zjarri dhe me një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria”, i zhvilluar për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Në lagjen “Lef Sallata”, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip Audi, me të cilin lëvizte shtetasi me inicialet E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi.
Gjatë kontrollit në automjet, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë, dy krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj 32-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” si dhe “Mbajtje pa të drejtë të uniformës”.




