Arrestohet 20-vjeçari që dyshohet se shkaktoi zjarrin masiv në Drizë të Fierit
Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë 20-vjeçarin Nikola Jaso, i dyshuar si autori i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe në fshatin Drizë dhe u përhap edhe në disa fshatra përreth.
Sipas Policisë, i riu dyshohet se më 5 korrik 2026 kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të babait të tij për djegien e barishteve, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e rrezikut nga flakët, shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u kërcënuan nga zjarri.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, forcave zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, zjarri u vu nën kontroll pa pasoja në njerëz.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Fierit u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke paralajmëruar se shkelësit do të përballen me ligjin.
Policia fton gjithashtu qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.




