Heroizëm në plazhin e Velipojës, vrojtuesi i shpëton jetën 67-vjeçarit pas një ataku kardiak në det

Një ngjarje me fund të lumtur është regjistruar këtë të diel në plazhin e Velipojës, ku një pushues 67-vjeçar u shpëtua falë reagimit të menjëhershëm të vrojtuesit të plazhit.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari dyshohet se pësoi një atak kardiak teksa ndodhej në det, duke humbur ndjenjat.
Vrojtuesi i plazhit, Besfort Gjoklaj, ndërhyri pa humbur kohë, e nxori 67-vjeçarin nga uji dhe konstatoi se ai nuk kishte puls dhe nuk merrte frymë.
Me profesionalizëm dhe gjakftohtësi, ai nisi menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR), duke luftuar për disa minuta për t’i rikthyer shenjat jetësore pushuesit.
Përpjekjet rezultuan të suksesshme, pasi 67-vjeçari rifitoi pulsin dhe frymëmarrjen. Pak minuta më vonë në vendngjarje mbërriti ambulanca, e cila e transportoi të moshuarin drejt spitalit për trajtim të specializuar.
Ndërhyrja e shpejtë dhe vendimtare e vrojtuesit Besfort Gjoklaj shmangu një tragjedi në bregdetin e Velipojës, duke i shpëtuar jetën pushuesit dhe duke dëshmuar rëndësinë jetike të pranisë së vrojtuesve të trajnuar në plazhe.




