Tragjedi në Vlorë/ Humb jetën në një aksident gazetari Enrik Mehmeti

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar rreth 30 minuta më parë në zonën e Zvernecit, pranë daljes së Dalanit, në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, viktimë ka mbetur gazetari Enrik Mehmeti, 40 vjeç. Ai ishte duke udhëtuar me një motor me katër rrota (ATV), kur për shkaqe që ende nuk dihen, mjeti është përmbysur. Si pasojë e aksidentit, 40-vjeçari ka marrë dëmtime të rënda.

Pas ngjarjes, Mehmeti u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Burime paraprake bëjnë me dije se ai kishte pësuar dëmtime të rënda në kraharor dhe në organet jetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.
Ky është informacion paraprak dhe priten të dhëna zyrtare nga autoritetet për dinamikën e ngjarjes.




