3 operacione në 24 orë në qarkun e Vlorës, 3 të arrestuar për armë pa leje, grabitje me dhunë dhe trafikim emigrantësh

Policia e Vlorës ka finalizuar brenda 24 orëve tre operacione policore kundër armëmbajtjes pa leje, vjedhjes me dhunë dhe transportimit të shtetasve që synonin të kalonin ilegalisht në Greqi.
Si rezultat i operacioneve janë arrestuar tre persona. Njëri u kap duke lëvizur me taksi i armatosur me pistoletë, tjetri vodhi një automjet të OShEE-së pasi dhunoi punonjësin që e drejtonte, ndërsa i treti u kap duke transportuar pesë shtetas nga Shqipëria dhe Kosova që kishin pengesa për lëvizjen në zonën Schengen.
Gjatë operacioneve policia sekuestroi një pistoletë me krehër dhe fishekë, një thikë, si dhe automjetin me të cilin transportoheshin shtetasit.
Operacioni “Pasagjeri” në Dhërmi çoi në arrestimin e një 26-vjeçari nga Babrruja, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një pistoletë me municion pa leje.
Në operacionin “Thirrja”, të zhvilluar nga Komisariatet e Delvinës dhe Sarandës, u arrestua një 31-vjeçar, i dyshuar se dhunoi një punonjës të OShEE-së për t’i marrë automjetin e kompanisë. Automjeti u gjet dhe iu kthye subjektit, ndërsa të arrestuarit iu sekuestrua edhe një thikë.
Ndërsa në operacionin “Barriera”, pranë Pikës Kufitare të Qafë Botës, u arrestua një 30-vjeçar nga Belshi, i cili transportonte me automjet pesë shtetas që synonin të kalonin ilegalisht drejt Greqisë.
Materialet procedurale janë referuar në prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme.




