Kultivonte kanabis në vazo mes kanioneve të Progonatit, arrestohet në flagrancë 57-vjeçari – asgjësohen 175 bimë narkotike
Policia e Tepelenës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Rrjedha”, duke arrestuar në flagrancë një 57-vjeçar, i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike në një zonë të thellë të kanioneve të fshatit Progonat.
Sipas Policisë, pas një hetimi të zhvilluar me metoda proaktive dhe në koordinim me Prokurorinë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë lokalizuan dhe ndërhynë në vendin ku shtetasi I. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë, kishte kultivuar 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të mbjella në vazo dhe të fshehura mes kanioneve.
Gjatë operacionit, 57-vjeçari u arrestua në vendngjarje, ndërsa të gjitha bimët narkotike u sekuestruan dhe u asgjësuan.
Policia bën me dije se kontrollet në kuadër të operacionit kombëtar anticannabis do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.




