AKTUALITETSTAR CHANNEL
Stuhia e fortë shkul pemët në Sarandë, dëme në makina dhe biznese

Stuhia e fuqishme që goditi mbrëmjen e djeshme qytetin e Sarandës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në lulishten “Miqësia”, një nga hapësirat më të frekuentuara publike të qytetit.
Era e fortë ka shkulur dhe rrëzuar një numër pemësh, duke lënë pas degë të thyera dhe bllokime në disa pjesë të parkut. Si pasojë e motit ekstrem janë dëmtuar edhe disa biznese, si dhe një numër automjetesh të parkuara pranë zonës.
Pamjet e mëngjesit të sotëm tregojnë gjurmët e stuhisë, ndërsa dëmtimet kanë ndryshuar ndjeshëm pamjen e lulishtes. Në disa zona, qarkullimi i këmbësorëve është vështirësuar për shkak të pemëve dhe degëve të rrëzuara.
Autoritetet pritet të vijojnë me pastrimin e zonës dhe vlerësimin e plotë të dëmeve.




