Aksident fatal te rrethrrotullimi i TEG-ut, reagon Policia: Një i vdekur dhe dy të plagosur, personat në kamionin e pompës së betonit ende të paidentifikuar

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në zonën e rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë, ku një kamion me pompë betoni (automjeti që përdoret për hedhjen e betonit në lartësi) është përplasur me një automjet, duke shkaktuar një viktimë dhe dy të plagosur.
Sipas Policisë, pas përplasjes, kamioni ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Si pasojë e aksidentit, njëri prej personave që udhëtonte në kamion dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy personat që ndodheshin në kamion janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për të përcaktuar nëse viktima ishte drejtuesi i mjetit apo personi që ndodhet i shtruar në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, Roland Nuri, rreth 28 vjeç, është transportuar në spital dhe, sipas Policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të këtij aksidenti fatal.




