Tragjedi në Roskovec/ 35-vjeçari vret me armë gjahu ish-vjehrrin, plagos ish-vjehrrën
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Vidhisht, në Bashkinë Roskovec.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 06:00, Refit Buzi, 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili ka humbur jetën në vend. Nga të shtënat është plagosur edhe ish-vjehrra, Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur një operacion për kapjen e autorit të dyshuar.
Sipas të dhënave paraprake hetimore, pas krimit autori është larguar me automjet së bashku me ish-bashkëshorten e tij, duke marrë me vete edhe armën e gjahut. Rrethanat e largimit të saj janë ende duke u verifikuar nga grupi hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa vijojnë kërkimet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e autorit.




