Tragjedi në Roskovec/ Vret ish-vjehrrin, plagos ish-vjehrrën dhe merr peng ish-të fejuarën, vijojnë kërkimet për 35-vjeçarin
Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhishtë, në Bashkinë Roskovec.
Sipas informacioneve paraprake, Refit (Nertil) Buzi, 35 vjeç, shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij, ku qëlloi me armë zjarri ndaj familjarëve të saj. Si pasojë e sulmit humbi jetën ish-vjehrri i tij, 55-vjeçari Kosta Plaka, ndërsa ish-vjehrra mbeti e plagosur.
Pas krimit, autori dyshohet se mori me forcë ish-të fejuarën dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Burime paraprake bëjnë me dije se 34-vjeçarja kishte qenë prej kohësh objekt i kërcënimeve nga ish-i fejuari. Ajo vazhdonte studimet për mjekësi në Tiranë, ku, sipas të njëjtave burime, 35-vjeçari kishte shkuar disa herë për ta kërcënuar. Për këto episode ai ishte shoqëruar dhe arrestuar më parë nga policia, por konflikti mes tyre kishte vijuar.
Ngjarja kulmoi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur autori hyri në banesën e familjes Plaka, qëlloi me armë zjarri ndaj familjarëve dhe më pas u largua duke marrë me vete ish-të fejuarën.
Familjarët e 34-vjeçares dhe banorët e zonës shprehen të shqetësuar për fatin e saj, pasi autori dyshohet se është ende i armatosur. Ata i bëjnë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë sa më shpejt për lokalizimin e 35-vjeçarit dhe gjetjen e gruas në gjendje të sigurt.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore dhe po zhvillon një operacion intensiv për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.




