Thellohet tragjedia në Roskovec/ Humb jetën edhe Belera Plaka, e qëlluar nga Refit Buzi
Thellohet bilanci tragjik i ngjarjes së rëndë që tronditi Roskovecin. Belera Plaka ka humbur jetën në spital, pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri nga 35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi, ish-i fejuari i vajzës së saj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Sipas të dhënave, Refit Buzi qëlloi me armë gjahu ndaj familjes së ish-partneres së tij, duke vrarë në vend babanë e saj, Kosta Plaka, ndërsa plagosi rëndë bashkëshorten e tij, Belera Plaka.
Pas krimit, autori mori peng ish-partneren, duke e mbajtur nën kërcënimin e armës për rreth pesë orë.
Më vonë, pas një operacioni të gjerë policor dhe disa orësh negociata me forcat speciale RENEA, 35-vjeçari, i rrethuar në automjetin e tij në zonën e Kurjanit, i dha fund jetës me armë zjarri.
Me ndarjen nga jeta të Belerës, bilanci i kësaj tragjedie rëndohet në dy viktima nga familja Plaka, ndërsa autori humbi gjithashtu jetën.




