FIER/ Xhaxhai i Rozalindës: Kishte mbi 40 ditë kërcënime nga Refit Buzi, institucionet dështuan

Familjarët e Kostës dhe Beleres Plaka, të cilët u përcollën këtë të shtunë për në banesën e fundit pas tragjedisë në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, kanë ngritur akuza të forta ndaj institucioneve, duke pretenduar se krimi mund të ishte parandaluar.
Në një intervistë për Euronews Albania, xhaxhai i Rozalindës rrëfeu se familja kishte denoncuar prej kohësh kërcënimet e vazhdueshme të Refit Buzit, ndërsa theksoi se autori vijoi t’i kërcënonte edhe pasi u la në arrest shtëpie.
Sipas tij, gjithçka ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur u zgjua nga të shtënat me armë.
“Rreth orës 05:20-05:30 dëgjova krismat. Njoftova menjëherë Policinë dhe shkova me makinë drejt vendit të ngjarjes. Kur mbërrita, ai kishte qëlluar, kishte marrë mbesën dhe ishte larguar. Më pas mbërritën ambulanca dhe Policia,” u shpreh ai.
Ai tregoi se konflikti mes autorit dhe familjes kishte më shumë se një vit dhe se Rozalinda kishte përfituar urdhër mbrojtjeje, i cili ishte ende në fuqi.
“Prej rreth 40 ditësh ai dërgonte çdo ditë mesazhe kërcënuese. Ne bëmë kallëzime, Policia e ndaloi dhe Prokuroria kërkoi masën e ndalimit, por Gjykata e la në arrest shtëpie. Sapo doli, kërcënimet rifilluan menjëherë,” deklaroi ai.
Familjari tha se kishte njoftuar edhe autoritetet për shkeljen e masës së sigurisë, por, sipas tij, nuk pati reagimin e duhur.
Duke folur për gjendjen e Rozalindës, ai u shpreh se ajo është ende e traumatizuar dhe nuk ka mundur të bisedojë me të pas ngjarjes.
Në fund, ai akuzoi institucionet për dështim në zbatimin e ligjit, duke theksuar se tragjedia mund të ishte shmangur nëse do të ishin marrë masa më të forta ndaj autorit.
“Kjo që kërkoj unë nuk kthehet më, por institucionet janë të buta. Kur një person përsërit kërcënimet, masat duhet të ashpërsohen. Nëse ligji nuk zbatohet, raste të tilla do të përsëriten,” tha ai.
Ai shprehu gjithashtu pakënaqësi ndaj disa portaleve, duke i akuzuar se kanë publikuar informacione të paverifikuara mbi ngjarjen.
Kosta Plaka humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Pas krimit, Refit Buzi mori peng ish-bashkëshorten e tij, të cilën e liroi pas negociatave me Policinë, ndërsa më pas i dha fund jetës.




