Aksident i rëndë në aksin Vlorë–Llogara, fugoni del nga rruga në Fushë Dukat

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në aksin Vlorë–Llogara, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 06:10, një fugon me targa AC701AJ ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, janë plagosur drejtuesi i mjetit dhe katër pasagjerët, të cilët janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet se një person mund të ketë humbur jetën, por ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
FieriWeb do t’ju mbajë të informuar me çdo zhvillim zyrtar mbi këtë ngjarje.




