Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen e AKSHI-t

Autoritetet franceze kanë arrestuar në qytetin e Amiens Ermal Beqirajn, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi u bë pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet dy strukturave, ndërsa Beqiraj kërkohej me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Sipas autoriteteve, 44-vjeçari u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, Ermal Beqiraj ndodhet në paraburgim. Ai pritet të dalë gjatë ditës së nesërme para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në kuadër të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Arrestimi i tij vjen në vijim të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre franceze për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa procedurat për kthimin e tij në Shqipëri pritet të vijojnë sipas legjislacionit francez dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në fuqi.




