Shuhet zjarri pranë fshatit Cfir, digjen 2 hektarë pyll e shkurre dhe 50 rrënjë ullinj

Falë ndërhyrjes së shpejtë të repartit zjarrfikës të Bashkisë Mallakastër, është vënë nën kontroll zjarri që u regjistrua në afërsi të fshatit Cfir.
Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë për lokalizimin e flakëve dhe pengimin e përhapjes së tyre në sipërfaqe më të mëdha. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 2 hektarë sipërfaqe me pyll dhe shkurre, ndërsa flakët përfshinë edhe rreth 50 rrënjë ullinj.
Aktualisht, situata është plotësisht nën kontroll dhe nuk ka më vatra aktive zjarri. Në terren vijojnë të qëndrojnë 9 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe 2 automjete zjarrfikëse të Bashkisë Mallakastër, të cilët po monitorojnë zonën për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet pritet të vijojnë verifikimet për përcaktimin e origjinës së tij.




